Duke filluar nga data 1 korrik ka hyrë në fuqi vendimi për rritjen e pagave për personelin shëndetësor. Lajmi është njoftuar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së qeverisë, ku bëri me dije se nga ky vendim përfitojnë 19 mijë mjekë, infermierë dhe profesionistë shëndetësor, raporton RTSH.

“Duke filluar nga data 1 korrik, ashtu sikurse e kemi premtuar, për të gjithë mjekët, infermierët, të gjithë profesionistët e shëndetësisë paga e tyre rritet me 6%. Kjo është një politikë e qeverisë shqiptare, e cila sikurse oshte planifikuar hyn në fuqi në 1 korrik dhe shtyn efektet përgjatë gjithë vitit dhe në vazhdim. Efekti vjetor i rritjes së pagave për masën 6% është rreth 10 milionë dollarë”,- tha Manastirliu ndërsa njoftoi gjithashtu se qeveria ka vendosur një shpërblim në masën 15 mijë lekë në muaj për mjekët që përfundojnë specializimin dhe ata që ushtrojnë profesionin jashtë vendbanimit.

Përveç personelit shëndetësor, rritje 6 % të pagave do të kenë edhe mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se rreth 36 mijë e 700 punonjës përfitojnë nga rritja e pagave nga data 1 Korrik. Kushi tha se po ashtu do të rriten pagat e edukatoreve, punonjësve të konvikteve dhe qendrave kulturore të fëmijëve. (Elona)