Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, inspektoi punimet që po kryhen për zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë.

Duke theksuar se është nevoja për të ecur me ritme të shpejta për përfundimin e punimeve, ministrja Manastirliu bëri të ditur se synohet një përmirësim radikal i ambienteve dhe i kushteve të punës, por mbi të gjitha edhe i ofrimit të shërbimeve.

Manastirliu tha se puna në kantieret e shëndetësisë për përmirësimin e shërbimit të nënës dhe fëmijës, nuk ka ndalur. Po ashtu, ajo evidentoi edhe progresin që po bëhet në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë dhe në maternitetin e Kukësit, ku vijon puna për të gjithë korpusin spitalor.

“Po ecim mirë për sa i përket gjithë programit të nënës dhe fëmijës, qoftë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, qoftë në maternitetin “Koço Gliozheni” ku edhe aty shumë shpejt përfundojnë edhe sallat e operacionit, ndërkohë që blloku i lindjes ka përfunduar. Gjithashtu edhe në maternitetin në spitalin e Kukësit, ku po vijon puna për gjithë korpusin spitalor dhe brenda këtij viti përfundon edhe ky investim”, tha Manastirliu. (Irma)