Foto: RTSH

Foto: RTSH

Ura mbi lumin Buna, një projekt i përbashkët Shqipëri-Mali i Zi, do të lidhë 34 km plazhe me rërë, duke sjellë dhe rritjen e turizmit për këto zona.

Bazuar në planin e prezantuar në samitin e “Ballkanit të Hapur”, në Ohër, së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeministri malazez, Dritan Abazoviç, theksoi përmes një njoftimi në rrjetet sociale se gjatësia totale e urës do të jetë 310 metra dhe diapazoni midis dy shtyllave mbështetëse do të jetë 139 metra. Ura do të jetë 17 metër e gjerë, do të ketë dy korsi trafiku nga 3.75 m secila, dy trotuare nga 2 metër secili dhe dy korsi për biçikleta nga 1.25 metër secila, bën të ditur “RTSH”.

Sipas kryeministrit malazez, ura do të lidhë 34 km plazhe me rërë, të cilat vizitohen nga rreth 530.000 turistë në vit.

Distanca aktuale mes Velipojës në Shqipëri dhe Ulqinit në Malin e Zi është 73 km, ndërsa me ndërtimin e urës do të reduktohet në vetëm 1 km.

Data e planifikuar e përfundimit të punimeve është gushti 2024. (Irma)