Bajram Begaj është zgjedhur si presidenti i ri i Shqipërisë.

Në mbledhjen e Kuvendit të zhvilluar pasditen e të shtunës, deputetët shqiptarë zgjodhën Begajn, i cili mbante postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare, si kreun e ri të shtetit, me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Kuvendi i Shqipërisë nuk kishte arritur të zgjidhte presidentin e ri në tre raundet e para, pasi asnjë prej grupeve parlamentare nuk propozoi asnjë kandidat.

Sipas Kushtetutës, nevojiten gjithsej 84 vota pro për të zgjedhur një kandidat të propozuar si president në tre raundet e para dhe 71 vota në raundin e katërt dhe të pestë.

Begaj, 55 vjeç, do të bëjë betimin si presidenti i ri më 25 korrik 2022 për të zëvendësuar në detyrë Ilir Metën, i cili do të jetë në detyrë deri më 22 korrik.