Rama KS RTSH

Rama KS RTSH

Shqipëria mori më 1 qershor drejtimin e Këshillit të Sigurimit në OKB, si anëtare jo e përhershme për periudhën 2022-2023. Nga Nju Jorku, kryeministri Edi Rama, me anë të një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetin social “Facebook”, ka njoftuar se do të drejtojë debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare. Ndërsa siguron se Shqipëria do të mbetet gjithnjë e angazhuar për të promovuar drejtësinë dhe sundimin e ligjit, Rama thekson se po bën gjithçka për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën e errët.

“Ditë historike për Shqipërinë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, kur për herë të parë në histori Shqipëria merr drejtimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo është dekada e tretë e mijëvjeçarit të tretë. Bota është e trazuar dhe ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të mizorive të papërshkrueshme në më shumë se 50 konflikte përreth globit. Demokracia dhe të drejtat e njeriut po sprovohen rëndë në anë të ndryshme të botës. U bë shumë gjatë që shohim abuzime masive me të drejtat e njeriut, nga Darfuri në Mianmar, nga Afganistani në Siri dhe bashkësia ndërkombëtare po lufton t’i vendosë autorët e krimeve të rënda para përgjegjësisë. Konflikti Rusi-Ukrainë ka sfiduar sigurinë evropiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla. Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmëri. Është urgjente të veprojmë tani”, -thuhet në mesazhin e kreut të qeverisë shqiptare.