Para finales së Ligës së Konferencës, që u zhvillua në Tiranë, fondacioni i ekipit të Romës, “Roma Cares”, përfaqësuar nga legjenda e skuadrës italiane të futbollit, Vincent Candela, së bashku me kryebashkiakun e kryeqytetit shqiptar, Erion Veliaj, shtruan një drekë për personat në nevojë pranë Qendrës Komunitare në Kombinat, shkruan “RTSH”.

Veliaj i shprehu mirënjohjen Fondacionit të Romës për nismën e tyre në shërbim të komunitetit, duke vlerësuar punën e palodhur në aspekte që nuk janë të dukshme, por që janë shumë të rëndësishme.

Veliaj shprehu besimin që me Fondacionin e Romës të nisë një marrëdhënie për të shërbyer në fushat sociale.

Vincent Candela deklaroi se vizita pranë kësaj qendre, ku marrin shërbime sociale persona në nevojë, është një eksperiencë e veçantë dhe shkon përtej trofeve të fituar përmes ndeshjeve.

Pjesë e aktivitetit ishin dhe takimet me gra të dhunuara që marrin këshillim pranë kësaj qendre. Përfaqësues të fondacionit të ekipit të Romës zhvilluan lojëra dhe aktivitete të shumta argëtuese me fëmijët që vizitojnë këtë qendër. (Irma)