Foto: Facebook kryeministri Edi Rama

Foto: Facebook kryeministri Edi Rama

Një Memorandum Mirëkuptimi mes kompanisë shqiptare “Albgaz”, asaj bullgare “Overgas” dhe amerikanes “Linden Energy”, u nënshkrua të hënën në Tiranë.

Kompanitë amerikane kanë shprehur interes për t’u furnizuar me gaz përmes terminalit që do të ngrihet në Vlorë, një projekt me rëndësi të veçantë pas ndërtimit të gazsjellësit TAP në territorin shqiptar.

Në nënshkrimin e memorandumit ishin të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Kryeministri Rama e konsideroi këtë memorandum një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së vizionit Shqipëria 2030 eksportuese neto e energjisë. “Furnizimi me gaz përmes Terminalit të Ri, që do të ngrihet në Vlorë, tanimë po zgjon interesa të shumanshme", -shkroi Rama në rrjetet sociale.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha me këtë rast se ky është një moment i shënuar për një nga projektet më të rëndësishme dhe strategjike që ka të bëjë me gazifikimin e Shqipërisë, që e bën atë një projekt rajonal.