Krifca, eksportet (Foto ATSH)

Krifca, eksportet (Foto ATSH)

Shqipëria synon të zgjerojë hartën e eksporteve bujqësore dhe produkteve të detit drejt tregut egjiptian.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në një takim me ambasadorin e Egjiptit në Shqipëri, Mohamed Mostafa Heider, diskutoi mbi nxitjen e eksporteve bujqësore mes dy vendeve.

“Takova ambasadorin e Egjiptit, Mohamed Mostafa Heider, përfaqësues i një vendi që ka potencial tregjesh të reja e me ndikim në rritjen e eksporteve të produkteve bujqësore shqiptare, ndër to edhe produktet peshkore”, -shkroi Krifca në faqen e saj zyrtare.

Në takim u diskutua specifikisht për orientimin e eksporteve për mollën shqiptare, varietetet e së cilës mungojnë në tregjet lindore duke mundësuar lehtësira në lidhje me tarifat doganore.

Krifca theksoi se shkëmbimi mes dy vendeve mbi bujqësinë nuk do të ndalet vetëm te produktet, por do të zgjerohet edhe te burimet njerëzore, që do të përfshijnë qendrat e ekselencës në bujqësi.

Shqipëria eksporton produkte bujqësore në mbi 85 shtete të botës. Ndër produktet më të eksportuara janë bimët mjekësore, perimet e freskëta dhe frutat.