Foto:VCG

Foto:VCG

Rreth 408 mijë persona nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë, Kosovë, Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dolën nga varfëria në vitin 2021 për shkak të rimëkëmbjes së shpejtë ekonomike.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore në raportin “Manovrim përmes krizash”, 65 për qind e personave që dolën nga varfëria, rreth 263 mijë, ishin nga Shqipëria, përcjell “Monitor”.

Duke përllogaritur përqindjen e popullsisë në varfëri (numri i personave që jeton me 5.5 dollarë në ditë, kufiri i varfërisë relative sipas përkufizimit të BB) me popullsinë e përgjithshme zyrtare, Shqipëria në vitin 2021 kishte mbi 622 mijë persona në varfëri, nga më shumë se 885 mijë që ishin gjatë 2020-s.

Banka vlerëson se varfëria relative në Shqipëri në përqindje të popullsisë është më e ulët se viti parapandemik 2019. Sipas projeksioneve të BB-së, Shqipëria do të shënojë uljen më të madhe të numrit të të varfërve në vitet në vijim duke u bërë e krahasueshme me vendet e Rajonit, por gjithsesi treguesi do të jetë sërish më i lartë.

Në vitin 2023 Banka parashikon që treguesi i varfërisë relative në Shqipëri të arrijë në 16.9 për qind, me një ulje 2.5 pikë përqindje nga niveli i pritshëm i këtij viti. Në Kosovë pritet të jetë 15.8%, Maqedoni e Veriut 15.9%, Mali i Zi 14.8% dhe nivelin më të ulët do ta ketë Serbia me 9.3%.

Por rritja e çmimeve globale të energjisë dhe ushqimeve e kombinuar me ndikimet negative nga konflikti Rusi-Ukrainë po krijon rreziqe shtesë në reduktimin e normave të varfërisë në vitin 2022.

Sipas skenarit bazë të rritjes pozitive, norma e varfërisë për Ballkanin Perëndimor parashikohet të bjerë me rreth 1 pikë përqindje në 13.8 për qind në vitin 2022, por kjo arritje rrezikohet nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. (Irma)