Taulant Balla Foto:Rtsh

Taulant Balla Foto:Rtsh

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u shpreh për zgjedhjen e një presidenti përfaqësues për të gjithë dhe i pranuar nga të gjithë.

Gjatë një dalje publike, Balla vlerësoi konsensusin e arritur mes mazhorancës dhe opozitës në Konferencën e Kryetarëve, për të nisur procedurat më 10 maj dhe më 16 maj të mbahet raundi i parë i votimit për Presidentin e Republikës, i cili do të jetë në krye të vendit për 5 vitet e ardhshme.

“Mendoj që presidenti i mirë duhet që të pranohet nga të gjithë shqiptarët, sipas Kushtetutës që përfaqëson unitetin e të gjithëve”, -deklaroi Balla.

Grupi i punës së ngritur nga mazhoranca, i përbërë nga Taulant Balla, Damian Gjinkuri dhe Elisa Spiropali, ka mbledhur propozimet e deputetëve të PS-së të cilët kanë dorëzuar një zarf, me 3 emra kandidatësh.

Përfaqësuesit e mazhorancës përsëritën se preferojnë një emër konsensual, për mos të shkuar në dy raundet e fundit, të cilët parashikojnë zgjedhjen e kreut të shtetit me 71 vota, në rast se tre të parët me shumicë të cilësuar dështojnë. (Irma)