Foto: VCG

Foto: VCG

“Ekonomia e Shqipërisë u rimëkëmb fuqishëm nga kriza e Covid-19. Rritja vlerësohet në 8.5%, në 2021-shin, ndërsa shkalla e varfërisë u ul nga 31.3% në 22%”, -vlerësoi Banka Botërore në raportin e Rregullit Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, “Manovrim mes krizash”, që u publikua të mërkurën.

Duke u ndalur në zhvillimet aktuale, raporti vëren se konflikti në Ukrainë do të ngadalësojë në 3.2% rritjen ekonomike të vendit dhe nëse kriza në Ukrainë zgjatet, ajo do të ndikojë në ekonominë shqiptare nëpërmjet disa kanaleve, citon “ATSH”.

Çmimet e larta të mallrave, veçanërisht të naftës dhe drithërave, pritet të jenë kanali kryesor i transmetimit të goditjeve. Në përgjithësi, lidhjet e drejtpërdrejta të tregtisë, remitancave dhe emigracionit me Rusinë dhe Ukrainën janë të vogla, dhe përbëjnë më pak se 3% të totalit.

Megjithatë, Rusia dhe Ukraina janë prodhues dhe eksportues shumë të rëndësishëm të disa mallrave, të cilat janë me rëndësi jetike për shqiptarët, përfshirë drithërat.

Çmimet e larta të energjisë pritet të çojnë në rritje të çmimeve të transportit dhe të shkaktojnë rritje të mëtejshme të çmimeve te mallrat e tjera të shportës së konsumit.

Ndërsa inflacioni pritet të përshpejtohet në rreth 5 për qind në vitin 2022 krahasuar me parashikimin prej 3 për qind sipas skenarit të zhvilluar para konfliktit.

Banka vlerëson se,Shqipëria, për të rritur mbledhjen e të ardhurave dhe për të realizuar konsolidimin fiskal, do të mundësojë në të njëjtën kohë kryerjen e shpenzimeve të konsiderueshme që forcojnë rritjen ekonomike.