Foto: ATSH

Foto: ATSH

Fëmijët e prindërve të rënë në krye të detyrës nga e mërkura përfitojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.

Në një aktivitet të zhvilluar me praninë e kryeministrit Edi Rama, fëmijë dhe familjarë të profesionistëve të rënë në krye të detyrës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se ky është një premtim i mbajtur për t’i pasur në përkujdes fëmijët e heronjve që dhanë jetën për mbrojtjen e jetës së tjetrit.

Në cilësinë e drejtueses së komisionit qendror të dhënies së statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, Manastirliu tha se 11 fëmijëve të parë u jepet ky status i posaçëm, duke theksuar se ata përfitojnë një paketë të plotë mbështetjeje, derisa të dalin në jetë e të mund të bëhen të zotët e vetes.

“Pas vlerësimit të kujdesshëm, 11 fëmijëve u jepet statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, dhe u akordohen përfitimet e statusit, nga trajtimi financiar me mbështetjen çdo muaj me pagën e prindit që ka humbur jetën, përgjatë gjithë viteve të fëmijërisë e deri në moshën 25 vjeç, nëse fëmija ndjek shkollën e lartë. Po kështu do të kenë mbështetje për arsimim, punësim, kujdes shëndetësor dhe mbrojtje sociale”, -bëri me dije Manastirliu.

Paketa e mbështetjes për fëmijët në përkujdesje të Republikës parashikon:

100% të pagës së prindit për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën ka vetëm një fëmijë që gëzon statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.

70% për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën ka dy fëmijë të mitur.

50% për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën ka tre fëmijë.

40% për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën ka katër fëmijë.

30 % qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën ka më shumë se katër fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.

Kjo kategori do të përfitojë gjithashtu bursën për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike dhe tekste shkollore falas. Po kështu përfitojnë bursë të plotë nga fondi i mbështetjes studentore dhe janë të përjashtuar nga tarifa vjetore në institucionet publike të arsimit të lartë.

Ata gëzojnë të drejtën e orientimit profesional falas dhe mbështetje për punësim në administratën publike ose biznesin privat.