Me përmirësimin e ndjeshëm të situatës epidemiologjike, Shqipëria i ka hequr të gjitha masat anti-Covid. Por, Najada Çomo, shefe e Shërbimit Infektiv dhe Spitalit Covid, thekson rëndësinë e procesit të vaksinimit, pasi pandemia ende nuk ka mbaruar, bën të ditur “A2 CNN”.

Pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve për aplikimin e dozës së katërt të vaksinës anti-Covid, mjekët e familjes kanë nisur hartimin e listave për njoftimin e personave mbi 60 vjeç me probleme shëndetësore të cilët kanë më shumë se 4 muaj nga kryerja e dozës së tretë.

Ndërkohë, nga 1 maji, për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nuk kërkohet më certifikata e vaksinimit dhe as testi për Covid.

Po ashtu, Komiteti i Ekspertëve hoqi detyrimin për mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura si dhe vendosi rihapjen e të gjitha lokaleve te natyrës dhe lejimin e muzikës pas orës 23:00.

Të infektuarit me koronavirus edhe në këtë periudhë janë më të shumtë se shifrat zyrtare që raportohen. Mjekët e familjes tregojnë se pranë qendrave shëndetësore çdo ditë ka raste me Covid, por nënvariantet e Omikronit nuk kapen nga testi i shpejtë.