Ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, tha se Kina po luan një rol aktiv për të nxitur negociata për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës. Në një deklaratë nga Korça, ambasadori tha se shpreson që konflikti të mbarojë shpejt me një zgjidhje që do ta pranojnë të dyja palët, duke synuar arritjen e paqes.

“Shpresoj që të mbarojë shpejt dhe të bëjnë negociata për paqen për një zgjidhje që do ta pranojnë të dyja palët. Kina po luan një rol pozitiv, aktiv për të nxitur negociata për paqe dhe presidenti apo ministri i Jashtëm i Kinës kanë mbajtur komunikim me gjithë liderët e vendeve të botës”, -tha ambasadori i Kinës.

Duke u ndalur te marrëdhëniet me Shqipërinë, ai tha se Kina dhe Shqipëria kanë miqësi tradicionale prej kohësh.

“Disa pretendojnë që Kina ndikon negativisht, unë personalisht nuk shoh ndonjë ndikim negativ nga Kina për Shqipërinë. Kina nuk ka interes për gjeopolitikë, të gjitha gjërat që ne po bëjmë janë në përfitim të të dyja vendeve, të zhvillimit ekonomik dhe social të Shqipërisë, bëhen në dëshirën e popullit dhe qeverisë shqiptare”, -tha ambasadori.

Këto deklarata, ambasadori i Kinës i bëri nga Korça, ku u takua me kryetarin e bashkisë së Maliqit Gëzim Topçiu dhe vizitoi kompaninë e njohur të mjaltit “Morava”. Në një postim në “Facebook”, ambasadori shkroi se në tremujorin e parë të këtij viti, eksportimi i Shqipërisë në Kinë ka pasur një rritje prej 67% në krahasim me vitin e kaluar. “Ky është një lajm shumë inkurajues dhe na jep besim në perspektivat e tregtisë. Pres që në të ardhmen, në tregun kinez të shoh më shumë produkte cilësore shqiptare, të cilat do të preferohen me siguri nga konsumatorët kinezë”, -shkruan ambasadori Zhou Ding në profilin e tij në Facebook.