energjia e eres, monitor

energjia e eres, monitor

Një projekt për një park eolik në zonën e Lezhës ka përmbushur kushtet e nevojshme për t’u trajtuar si një investitor strategjik, njoftoi “Monitor” duke cituar Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.

Projekti në fjalë rezulton se ka nisur procedurat tek institucionet shqiptare që nga viti 2008. Sipas dokumenteve, vlera e investimit të projektit parashikohet të jetë 244 milionë euro.

Projekti plotëson edhe kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike, ku gjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 350.

Ai parashikon ndërtimin e dy parqeve me erë, të quajtura BPGE1 dhe BPGE2, në kreshtat e dy maleve në Bashkinë Lezhë.

Ato do të gjenerojnë 234 MW dhe do të vendosen në një sipërfaqe prej 100 hektarësh, në vargmalet e Rencit dhe Kakariqit, paralel me vijën bregdetare në Shëngjin dhe Balldren.

Parku i parë është afër Portit të Shëngjinit, në një lartësi nga 241 metra në 545 metra mbi nivelin e detit, me fuqi 114 MW. Parku i dytë ndodhet në bregdet, paralel me të parin, në një lartësi midis 200-350 metra mbi nivelin e detit, me fuqi 120 MW.