Foto:alsat

Foto:alsat

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se konflikti në Ukrainë duhet të çojë në një pikë kthese në marrëdhëniet e Brukselit zyrtar me Ballkanin Perëndimor dhe pret që BE të marrë vendime strategjike menjëherë.

Nga një vizitë në Malin e Zi, Pendarovski komentoi edhe deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama se Shqipëria do të kërkojë shkëputje nga Maqedonia e Veriut nëse vendi mbetet i bllokuar në qershor, duke e cilësuar si logjike, përcjell “Alsat M”.

“Është logjike, nëse ne vazhdojmë të jemi të bllokuar nga Bullgaria, që vendet e tjera kandidate mos të duan ta lidhin fatin e tyre, rrugën e tyre drejt integrimit evropian me askënd tjetër, përfshirë edhe neve. Nuk shoh asgjë të diskutueshme në deklaratën e zotit Rama”, -deklaroi Stevo Pendarovski.

Ambasadorja gjermane në Shkup, Anke Holshtajn, thotë se Berlini zyrtar po përpiqet që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të vazhdojnë së bashku në rrugën e integrimit evropian. Edhe pse më parë Gjermania ishte e vendosur në qëndrimin e saj se zgjidhja e mundshme nga dialogu Shkup-Sofje nuk duhet të prekë në kornizën negociuese, Holshtajn tani nuk e përjashton këtë opsion.