Foto:VCG

Foto:VCG

Në vitin 2021, në 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian aplikuan për azil rreth 9 mijë shtetas shqiptarë. Sipas “Eurostat”, shqiptarët ishin të dytët pas turqve, me 16% të aplikimeve total nga vendet e Europës.

Statistikat e “Eurostat”-it bëjnë të ditur se preferenca e shqiptarëve për të aplikuar për azil mbetet Franca, që në vitin 2021 mori rreth 4900 aplikime ose 54% të totalit. Në vend të dytë ishte Gjermania, me 13.5% të totalit të aplikimeve. E treta është Greqia, me 12.6% dhe më pas renditet Italia, me 8.5% të totalit të aplikimeve nga shtetasit shqiptarë për azil në një nga vendet e BE-së.

Të dhëna të tjera të Agjencisë për Azil të Bashkimit Europian (EUAA) bëjnë të ditur se në total (së bashku me riaplikimet), në vitin 2021, nga Shqipëria aplikuan gjithsej për azil në Europë 11.2 mijë persona, 77% e të cilëve e kishin aplikim për herë të parë, bën të ditur “Monitor”.

Në raport me vitin e mëparshëm, kur lëvizjet ishin të kufizuara për shkak të pandemisë, aplikimet për azil u rritën me 19%, por gjithsesi ato mbeten më të ulëtat që nga viti 2013 (pa përfshirë vitin e pandemisë).