Foto: Balkna web

Foto: Balkna web

E ndërmarrë si një mënyrë për të kursyer karburant, dita pa makina sipas kryeministrit Edi Rama duhet të bëhet pjesë e kalendarit mujor.

Në një postim në “Facebook”, ku publikoi foto të rrugëve në kryeqytetin shqiptar pa automjete, Rama shkroi se dita pa makina duhet të bëhet pjesë e jetës për më shumë cilësi jete në hapësirat publike të komuniteteve.

Shumë qytetarë i janë bashkuar thirrjes së Bashkisë së Tiranës duke lënë të martën makinat për të shijuar lëvizjen në këmbë ose me biçikleta. Të favorizuar dhe nga moti i mirë, qindra qytetarë kanë mbushur sheshin “Skënderbej” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku Bashkia e Tiranës kishte organizuar aktivitete të shumta për të gjitha grupmoshat.

Mëngjesi nisi me Bandën Frymore të Qytetit, e cila solli ritmet pranverore. Në hapësirën para bashkisë ishte vendosur një kënd me sinjalistikë rrugore me qëllim edukimin e fëmijëve, ndërkohë që në parkun “Rinia” u zhvilluan aktivitete sportive si pingpong, basketboll, takeandow.