[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Kryebashkiaku i Sarandës Adrian Gurma priti në një takim konsullin e përgjithshëm të Konsullatës së Greqisë në Gjirokastër, Dimitrios Sacharidis, me të cilin bisedoi çështjet e turizmit.

Në takim u diskutua për veçoritë dhe pritshmëritë për sezonin turistik të këtij viti, mbi projektet e përbashkëta me fokus turizmin e sidomos për mundësitë e reja që hap turizmi pa kufij territorialë, duke i dhënë hapësirë idesë dhe praktikës së turizmit të integruar me bashkitë fqinje, citon “ATSH”.

Gjatë takimit u vlerësua se hapi i parë është hedhur, me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes Bashkisë së Sarandës dhe asaj të Finiqit.

Gurma tregoi se të dyja bashkitë gjenden tani në procesin e organizimit të një konference me fokus turizmin e integruar, ku do të ftohen t’i bashkohen Memorandumit të Bashkëpunimit edhe bashki të tjera të rajonit jugor, me dëshirën dhe vizionin për të përfshirë më tej edhe bashki nga Greqia. (Irma)