Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, zhvilloi një vizitë zyrtare në Beograd, lidhur me garantimin e funksionimit të tregjeve ushqimore në rajonin. Ministrja Krifca dhe ministri serb i Bujqësisë, Branislav Nedimovic, kanë konfirmuar hapjen e tregut dhe lëvizjen e lirë të grurit dhe misrit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, përcjell “ATSH”.

Në kuadër të marrëveshjes “Ballkani i Hapur”, pavarësisht se për tregjet e tjera ndërkombëtare mund të jenë mbyllur, gruri dhe misri nga Serbia do të lëvizin lirisht në drejtim të tregut dhe konsumatorit shqiptar.

“Në një takim me ministrin Nedimovic në Beograd patëm mundësinë të diskutojmë edhe njëherë marrëveshjen e “Ballkanit të Hapur” edhe në kushtet në të cilat gjendemi tani si dhe për të siguruar që kjo marrëveshje funksionon. Kontratat e lidhura tashmë për importin dhe eksportin e produkteve të ndryshme, përfshirë atë të misrit apo të grurit do të vijojnë normalisht”, tha Krifca.

Ministrja e cilësoi të rëndësishme që kompanitë shqiptare do të kenë mundësi që kësaj jave të mund të vijojnë biznesin e tyre normalisht për importet e grurit dhe misrit.