Drithërat, monitor

Drithërat, monitor

Në vitin 2020 Shqipëria prodhoi 684 mijë tonë drithëra, gati dyfishi i sasisë së importuar. Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e drithërave në vitin 2020 ishin 364 mijë tonë, ndërsa prodhimi vendas i drithërave ishte 684 mijë tonë.

Nga prodhimi vendas 399 mijë tonë ishin misër dhe 233 mijë tonë ishin grurë. Shumica e prodhimit shkon si ushqim për kafshët në bujqësi dhe pjesa tjetër auto konsum dhe një pjesë më e vogël u shitet fabrikave. Prodhuesi më i madh në vend me rreth 50 mijë tonë në vit është rajoni i Korçës, përcjell “Monitor”.

Kultivimi i drithërave në vend shënoi ulje gjatë periudhës së tranzicionit, për shkak të kostove të larta të prodhimit që krijoi copëzimi i tokës dhe mekanizimi i ulët. Pas viteve 1990 mielli i importuar vinte me kosto me të ulët, duke bërë që shumë fusha të mbetura djerrë, ndërsa zonat më prodhuese në vend nisën të kultivonin perime në serra për shkak të fitimeve më të larta që kishin për fermerët.

Konflikti mes dy prodhuesve më të mëdhenj të grurit, Rusisë dhe Ukrainës, ka rritur më shumë se dyfishi çmimin e grurit për tonë në tregun ndërkombëtar. Një tonë grurë aktualisht shitet në rreth 1200 dollarë në bursa nga 591 dollarë që ishte në marsin e vitit 2020.

Rritja e çmimeve të grurit nisi që gjatë vitit 2020, ku çmimi gjatë pandemisë kaloi në mbi 600 dollarë për tonë nga rreth 450 dollarë për tonë që ishte në vitin 2019. Kjo rritje ka nxitur mbjellje më të mëdha me grurë në vjeshtën e vitit 2021 në rajonet e Korçës dhe Fierit, por nuk pritet një rendimet i lartë për shkak se çmimet e plehrave kimike janë rritur shumëfish.

Për ketë sezon mbjelljet kanë mbaruar. Në Shqipëri gruri mbillet gjatë vjeshtës dhe korret gjatë muajit korrik. Por nëse çmimet e larta do të vijojnë, atëherë interesi do të nxisë fermerët të shtojnë sipërfaqet e mbjella me drithëra sidomos grurë gjatë vjeshtës së këtij viti. (Irma)