Ditët e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të çmimeve të shumë produkteve ushqimore dhe të karburantit dhe për situatën problematike në vend reagoi dhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti Meta apeloi për mbëshetje të familjeve në nevojë dhe të atyre me të ardhura të pamjaftueshme.

Në reagimin e tij, kreu i shtetit thotë se sot në Shqipëri jetojnë me të ardhura nën 5.5 dollarë në ditë mbi 930 mijë qytetarë, prej të cilëve mbi 64 mijë familje në ndihmë ekonomike, me të ardhura për person në 0.7 dollarë në ditë.

“Rreth 46,742 qytetarë me pension familjar mujor, që jetojnë me të ardhura 2 dollarë/ditë; Rreth 440,579 pensionistë në zonat urbane, me të ardhura në 4.8 dollarë/ditë; Rreth 63,099 pensionistë invalidë, me të ardhura në 4.4 dollarë/ditë; Rreth 103,626 pensionistë të zonave rurale, me të ardhura në 2.8 dollarë/ditë; Rreth 5,755 të papunë, që trajtohen me ndihmë ekonomike në 4.5 dollarë/ditë”, -shkroi presidenti Meta në “Facebook”.

Ai theksoi se në kushtet kur çmimet e mallrave ushqimore po rriten abuzivisht me të paktën 10% dhe çmimi i karburanteve me rreth 30%, presidenti Meta bëri thirrje për të mbështetur pa vonesë familjet dhe qytetarët. (Irma)