Treguesit e punësimit u përmirësuan në tremujorin e fundit të vitit 2021, në krahasim me vitin 2020, por ende pa arritur nivelet e para pandemisë.

Instituti i Statistikave publikoi të dhënat për tremujorin e katërt 2021, ku rezulton se numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 2.1%, krahasuar me 2020-n, dhe me 0.1% krahasuar me tremujorin e tretë 2021.

Të dhënat tregojnë se në tremujorin e katërt të vitit 2021 kishte rreth 33 mijë të punësuar më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020, por ende numërohen 10 mijë më pak të punësuar se në të njëjtën periudhë e vitit 2019.

Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11.4%. Niveli i papunësisë u ul me 1.9% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, ndërsa u rrit me 1%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, si rrjedhojë e përfundimit të sezonit turistik.

Krahasuar me tremujorin e katërt 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 1.7 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0.3 pikë përqindje.

Në terma vjetorë, punësimi rritet me 7.5% në sektorin e industrisë, me 7.2% në sektorin e shërbimeve, ndërsa ulet me 5.3% në sektorin e bujqësisë. (Irma)