Autoriteti i Konkurrencës ka dalë me një përgjigje zyrtare nisur nga shqetësimi publik për lëvizjen e çmimeve në tregun e karburanteve.

Përmes një deklarate, Autoriteri i Konkurrencës bëri të ditur se prej disa javësh ka vënë nën monitorim tregun e karburanteve dhe prej shkurtit ka nisur një hetim në tregun me shumicë të karburantit.

AK-ja bëri të ditur se do të merret çdo masë që i mundëson ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”, për të goditur çdo fenomen që shtrembëron konkurrencën, nëse do të verifikohen të tilla pas procedures hetimore.

Ky institucion saktëson se ligji nuk i ka dhënë një mandat të drejtëpërdrejtë në funksion të rolit të mbrojtjes së konsumatorit. Ndikimi i Autoritetit të Konkurrencës në këtë prizëm mund të bëhet vetëm në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet mbrojtjes së konkurrencës së lirë dhe efektive në treg.

“Shumica e autoriteteve të konkurrencës në botë, ndërmjet tyre edhe Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës, nuk janë projektuar ligjërisht për të luftuar çmimet abuzive në vetvete, kur këto çmime nuk janë pasojë e: 1) shfrytëzimit të pozitës dominuese në treg të një a më shumë ndërmarrjeve (p.sh. sepse kanë licenca ekskluzive); apo 2) marrëveshjeve të ndaluara. Pra, duhet me patjetër që të provohet abuzimi me pozitën dominuese dhe jo thjesht abuzimi, që Autoriteti i Konkurrencës të ketë mundësi ligjore të ndërhyjë; duhet me patjetër të provohet se mes ndërmarrjeve në një treg të caktuar ka një marrëveshje të ndaluar apo sjellje të bashkërenduar për të ngritur (apo edhe ulur) çmimet në mënyrë abuzive (të padrejtë), që Autoriteti i Konkurrencës të ketë mundësi ligjore të ndërhyjë. Në çdo rast, për të risjellë konkurrencën (jo çmimet si qëllim në vetvete) në parametra efektive”, -thuhet në deklaratë.

Sipas këtij institucioni, disa nga kërkesat publike të artikuluara së fundi duhet t’i drejtohen institucioneve të tjera që kanë lidhje me mbrojtjen e konsumatorit dhe të cilat zotërojnë mekanizmat ligjore për të reaguar direkt ndaj fenomenit të abuzimit me çmimet në tregje. (Irma)