“Tre dimrat”, shfaqet në Teatrin e Metropolit

“Tre dimrat”, shfaqet në Teatrin e Metropolit

“Tre dimrat”, është drama e e vënë në skenë nga regjisorja Rozi Kostani e shfaqur premierë në teatrin e Metropolit në Tiranë. Pjesa vjen në skenë nga Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Sokol Angjeli, Viktor Zhusti, Elia Zaharia, etj. “Tre dimrat”, e shkruar nga autorja kroate Tena Stiviçiç është një vepër që ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar. Ajo hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave.

Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin 1898 në Zagreb të Kroacisë. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tri pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në. Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne. Kjo vepër lë pas shijen e mirë të nivelit artistik dhe reflektimin për atë çka ndodh në shoqërinë tonë, që ende nuk është çliruar nga pesha e së shkuarës.

Përgatiti: N.Kraja