Foto: Top Channel

Foto: Top Channel

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të heqë orën policore, e cila ndalonte qarkullimin e qytetarëve nga ora 23:00 deri më 06:00, me përjashtim të rasteve emergjente.

Nga 3 marsi, qytetarët mund të lëvizin lirshëm në vend, por do të vijojë të kërkohet mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura apo në vende ku nuk mund të mbahet distanca.

Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, bëri thirrje për vaksinim, duke theksuar se rënia e kurbës së infektimeve ka ardhur prej ndërgjegjësimit të qytetarëve, të cilët zgjodhën që të imunizohen.

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të reduktojë kohën e izolimit për të prekurit nga Covid-19 deri në pesë ditë, ndërsa më parë rekomandoi që doza e tretë përforcuese e vaksinës të kryhet pesë muaj pas dozës së dytë.

Shefja e Infektivit, Najada Çomo, tha se shifrat e të shtruarve në spitale kanë rënë, por vijojnë të marrin trajtim pacientë që kryesisht janë të pavaksinuar.