Foto:ATA

Foto:ATA

Me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve të tij, emigracionin e paligjshëm, trafikimin e lëndëve narkotike, ekstremizmin e dhunshëm, radikalizmin, si dhe krime të tjera të rënda, Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord për ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore.

Tashmë marrëveshja është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi pas 2 javësh.

Qendra do të pozicionohet në territorin e Republikës së Greqisë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.

Në të do të punësohen përfaqësues të autoriteteve kompetente të palëve, të cilët kryejnë analizën dhe shkëmbimin e informacionit, si dhe mbështesin ekzekutimin e veprimtarive të autoriteteve kombëtare kompetente. Qendra do të administrohet nga koordinatorët e secilës palë.

Shkëmbimi i ndërsjellë i të dhënave personale ndërmjet autoriteteve do të kryhet në përputhje me legjislacionin përkatës kombëtar. Shqipëria ka hapur prej vitesh pikën e përbashkët kufitare me Kosovën, ndërsa prej muajit gusht të vitit të shkuar edhe pikën e përbashkët kufitare me Malin e Zi. Po ashtu, Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim që në shtator marrëveshjen për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut.