Foto:ATSH

Foto:ATSH

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në punimet e samitit të BERZH-it për investimet në Ballkanin Perëndimor, që po mbahen në Londër, ku deklaroi se Shqipëria konsiderohet si një parajsë e turizmit dhe investimit në turizëm.

Rama shprehu bindjen se investimi në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të rajonit është më shumë se të investosh në një vend, raporton “ATSH”.

“Është të investosh në një rajon me një potencial të pabesueshëm ende të pashfrytëzuar. Besoj se Ballkani Perëndimor është kufiri i ri i investimeve në Evropë, për shkak të asaj që për shumë vite e ka bërë këtë vend një destinacion të paarritshëm. Kjo falë faktit se të gjitha vendet e rajonit po përmirësohen e po bëjnë maksimumin për të bërë më shumë”, -tha Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria është në një fazë të re dhe është shumë e qartë se të huajt e shohin vendin si një parajsë të turizmit dhe investimit në turizëm.

Rama tha se turizmi është shumë i lidhur me infrastrukturën, ndaj edhe veçoi Korridorin Blu, pjesë e rrjetit evropian dhe Procesit të Berlinit.

Rama tha se Shqipëria është e bekuar me dete, male e liqene. Praktikisht kemi shumë mundësi, edhe pse tradicionalisht jemi mësuar të eksplorojmë bregdetin dhe nuk kemi zhvilluar ende diçka serioze në aspektin e turizmit malor.