Ndonëse thuajse të gjitha produktet janë shtrenjtuar, Shqipëria rezulton ndër vendet që ka pasur rritjen më të ulët të çmimeve në Europë. Instituti i Statistikave publikoi të dhënat e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, ku vihet re se për Shqipërinë ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin janar 2022 është 3.8%, e katërta më e ulët në Evropë (pa përfshirë vendet e rajonit).

Kjo shifër është pothuajse e njëjtë me Indeksin e Çmimeve të Konsumit të INSTAT, që në janar ishte 3.7%, niveli më i lartë në më shumë se një dekadë, përcjell “Monitor”.

Shqipëria është e ndikuar ndjeshëm nga ecuria e çmimeve të produkteve ushqimore, për shkak të peshës së lartë në shportën e mallrave të konsumit, në 42% të totalit, nga 13% që është mesatarja evropiane.

Në Evropë, rritja më e lartë e çmimeve është shënuar në Lituani, me rreth 12%, e ndjekur nga Estonia, me rreth 11%, Çekia me 9%. Më pak në Evropë e ka ndier rritjen e çmimeve Zvicra, nën 2%.

Më herët, Eurostat-i njoftoi se Inflacioni në zonën euro arriti në 5.1% në janar 2022, nga 5% që ishte në dhjetor 2021, i ndikuar nga çmimet e energjisë. Duke parë përbërësit kryesorë të inflacionit të eurozonës, energjia pritet të ketë normën më të lartë vjetore të rritjes në janar (28.6%, krahasuar me 25.9% në dhjetor), e ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (3.6%, krahasuar me 3.2% në dhjetor. ), shërbimet (2.4%, e qëndrueshme krahasuar me dhjetorin) dhe mallrat industriale joenergjetike (2.3%, krahasuar me 2.9% në dhjetor).