Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, zhvilloi një takim me ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës, Zhou Ding, ku u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve tregtare dhe memorandumeve në drejtim të rritjes së eksporteve.

Përmes një postimi zyrtar, ministrja Krifca njoftoi nënshkrimin e dy Protokolleve të Karantinës për produktet e bulmetit dhe të mjaltit, që do të mundësojnë heqjen e barrierave doganore dhe rrjedhimisht eksportin e këtyre produkteve shqiptare drejt Kinës. Ajo theksoi se po punohet për ta pasuar këtë nismë edhe për produktet e shpendëve si dhe ato të peshkut.

Nga ana e tij, ambasadori kinez në Shqipëri, Zhou Ding, përmes një postimi në rrjetet sociale deklaroi se vitet e fundit, Kina gjithmonë ka qenë mbështetës i fortë i zhvillimit bujqësor dhe rural të Shqipërisë.

“Kemi dhuruar makineri bujqësore, kemi organizuar trajnime të njerëzve, dhe ndërkohë kemi nxitur aktivisht eksportin e produkteve bujqësore shqiptare në Kinë. Do të bashkëpunoj fort me ministren, të zbulojmë më shumë projekte bashkëpunimi bujqësor me interes të përbashkët, si dhe për të realizuar eksportimin e më shumë produkteve bujqësore shqiptare në Kinë. Bashkërisht të kthejmë vullnetin dhe miqësinë tradicionale në fryte konkrete”, -shkroi në mesazhin e tij ambasadori Zhou.