foto/VCG

foto/VCG

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka analizuar sistemin fiskal të Shqipërisë. Në një raport të asistencës teknike të FMN-së thuhet se sistemi i komplikuar tatimor me shkallë progresiviteti dhe përjashtime fiskale, krijojnë shteg për evazion.

Sipas raportit, ndërsa Shqipëria ka elementë të një sistemi modern të tatimit mbi të ardhurat, disa veçori, si taksa progresive mbi të ardhurat personale (TAP), tatim fitimi për bizneset mbi një prag të caktuar, taksa e thjeshtuar mbi fitimet, dhe kontributet e sigurimeve shoqërore, e bëjnë atë tepër komplekse, duke gjeneruar shtrembërime dhe joneutralitet, përcjell “Monitor”.

Sipas FMN-së, Shqipëria ka nevojë për një sistem tatimor gjithëpërfshirës që mbulon të gjitha grupet e taksapaguesve me rregulla të drejta dhe stimuj të duhur, për t’u siguruar që të gjithë të paguajnë një barrë të drejtë tatimore.

Në raport thuhet se pragjet e shumta fragmentojnë bazat e tatimit mbi të ardhurat dhe normat tatimore të aplikueshme. Rregullat komplekse ofrojnë stimuj dhe mundësi për tatimpaguesit për të minimizuar ose shmangur pagesën.

Sistemi aktual ofron stimuj për individët që kryejnë veprimtari ekonomike të profesioneve të lira që të zgjedhin vetëpunësimin (sipas tatimit mbi fitimin e biznesit) në vend të punësimit (sipas TAP). Krahas këtij mosneutraliteti, sistemi tatimor po lufton me një shkallë të lartë informaliteti, i cili inkurajohet nga kostot e larta të pajtueshmërisë dhe kompleksiteti i tepruar.

Për më tepër, autoriteti tatimor nuk është në gjendje të krijojë një pasqyrë të plotë të tatimpaguesve individualë, sepse jo të gjithëve u kërkohet të paraqesin një deklaratë tatimore dhe administrata e të ardhurave nuk është në gjendje të mbledhë të dhëna nga palë të treta (p.sh. banka, regjistra pronash, etj.) që do të mundësonte kryqëzimin e informacionit.