eksportet, atsh

eksportet, atsh

Sektori i bujqësisë e mbylli vitin 2021 me një bilanc pozitiv të eksporteve, tendencë e cila po vazhdon edhe në vitin 2022, njofton “ATSH”.

Gjatë vitit 2021, sektori i bujqësisë dhe agroindustrisë ka eksportuar produkte në vlerën e 46.4 miliardë lekëve, ku bujqësia ka shënuar një rritje prej 6.5% krahasuar me vitin 2020.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar rritje me 30% kanë shënuar edhe eksportet e produkteve të peshkimit, ndërsa agroindustria regjistroi 22.5% më shumë eksporte.

Në tërësi sektori i bujqësisë, pavarësisht vështirësive në të cilën ndodhet, përballë situatës globale jo shumë të favorshme, ka treguar qëndrueshmëri në tregjet ndërkombëtare, tendencë që MBZHR parashikon të vazhdojë edhe gjatë vitit 2022.

Sipas MBZHR-së, rritja e eksporteve bujqësore ka vijuar edhe gjatë muajit janar 2022.

Krahasuar me muajin janar të vitit të kaluar eksportet bujqësore janë rritur me 27%, ndërsa agroindustria shënoi 80% më shumë eksporte se në janar të 2021.