Foto: monitor

Foto: monitor

Në vitin 2021, importi i makinave elektrike u rrit me 43%, ndonëse numri i tyre mbetet ende shumë i ulët në raport me totalin e mjeteve të importuara (më pak se 1%).

Drejtoria e Përgjitshme e Doganave Shqiptare bëri të ditur, në zbatim të direktivave europiane, se ka qënë e para ndër administratat doganore të rajonit që ka përqafuar qasjen ambientaliste lidhur me lehtësitë fiskale për autoveturat e reja elektrike, përcjell “Monitor”.

Për këtë arsye që në vitin 2020 është hequr pagesa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në doganë për importin e autoveturave elektrike të reja.

Kjo incentivë fiskale ka rritur prirjen e konsumatorëve shqiptarë të hedhin sytë drejt autoveturave të së ardhmes, duke u larguar nga automjetet me motor me djegie të brendshme.

Referuar statistikave të viteve të fundit të importeve, vërehet një rritje e trendit të importit dhe kërkesës për këto subjekte.

Megjithëse 2020-a ishte një vit pandemik sërisht janë importuar rreth 215 autovetura elektrike të reja, 309 në vitin 2021 dhe pritet që për 2022-shin ky numër të kalojë mbi 500.