Foto: Visula People

Foto: Visula People

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se gjatë takimit në Rusi me homologun Vladimir Putin, mori premtimin që nuk do të ketë përshkallëzim të krizës me Ukrainën.

Duke folur me gazetarët në avionin nga Rusia për në Ukrainë, Macron tha se Putin e siguroi se nuk ka përkeqësim apo përshkallëzim të krizës ruso-perëndimore lidhur me Ukrainën, raporton “Ansa”.

“Për mua, ishte një çështje bllokimi i lojës për të parandaluar një përshkallëzim dhe për të hapur perspektiva të reja. Ky synim është arritur”, -tha presidenti francez.

Gjatë takimit, Putin e siguroi Macron se ishte i gatshëm të bënte gjithçka për të gjetur kompromise dhe për të shmangur një përshkallëzim ushtarak në konfliktin në kufirin me Ukrainën.

"Nga ana jonë, ne do të bëjmë gjithçka për të gjetur kompromise që do të kënaqin të gjithë", -tha kreu i Kremlinit, duke shtuar se as ai dhe as Macron nuk duan një luftë Rusi-NATO që nuk do të kishte fitues.

“Presidenti rus Vladimir Putin do të ishte i gatshëm të takohej me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky, nëse ky takim do të zgjidhte ngërçin e situatës në Ukrainën juglindore”, -deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili shtoi se askush nuk e refuzon apriori idenë e një takimi mes dy presidentëve.