foto/CFP

foto/CFP

Kur ishte tre vjeç, Denni Xhepa ngrihej në agim dhe shihte nga dritarja nëse malet dhe shpatet e valëzuara tej në horizont ishin ende aty. Më pas ai vishte çizmet e skive e veshjet mbrojtëse dhe bëhej gati të dilte në të ftohtë, ndërsa familja ishte ende në gjumë.

Denni kujton çdo detaj të fëmijërisë së hershme në Sestriere në Alpet e Piemontit në Itali. Ai bëri një udhëtim prapa në kohë me kujtesën e vet, me sjelljen e tij karakteristike optimiste, gjatë një interviste për CGTN-in.

18-vjeçari nuk është thjesht një skiator profesionist, por përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.

Një ambicie e zjarrtë e shtynte atë të ngrihej herët dhe të mbetej i motivuar edhe në një moshë të njomë. Tani, duke korrur shpërblimet e punës së tij të palodhur e duke përfaqësuar vendin e tij në Pekin, Denni tha se iu desh mjaft kohë që të futej në realitetin e ri.

Denni Xhepa (qendër) është përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022. foto/CFP

"Duket si një ëndërr. Është shumë surreale," shprehet Denni. "Asnjë përvojë tjetër nuk është si mbajtja e flamurit në ceremoninë e hapjes dhe përfaqësimi i vendit tënd para botës. Ky është me të vërtetë një nder."

Denni shprehet se ai mori thirrjen për në olimpiadë vetëm muajin e kaluar dhe reagimi i tij i parë ishte: "Çfarë po ndodh?"

"Isha shumë i emocionuar," thotë ai. “Nëna dhe babai u befasuan... Vëllai ishte me mua kur Federata më dha lajmin; ishte një moment shumë emocionues”.

Mbajtja e shpresave të një kombi nuk është një gjë e vogël, por ndërsa Denni përpiqet të “lundrojë” në një mori përvojash të para të të qenit në qendër të vëmendjes globale, ai e ka fituar tanimë famën e vet të re.

"Po, ka rritje të presionit nga të gjitha anët," thekson ai. "Por unë jam këtu për të shijuar udhëtimin, për të shijuar mikpritjen e kinezëve dhe për të shijuar ushqimin kinez. Dhe më pas do të bëj një garë për të konkurruar. Pavarësisht se çfarë do të ndodhë, unë do të vazhdoj të përmirësohem."

Denni Xhepa tregon anën e vet humoristike gjatë stërvitjes në Qendrën Kombëtare të Skive Alpine në Pekin të Kinës. foto/CGTN

Si një skiator i ri, i cili e pati debutimin e tij vetëm dy vjet më parë në një veprimtari të Federatës Ndërkombëtare të Skive në Bormio të Italisë, Denni me siguri ka hapësirë të mjaftueshme për përmirësim. Dhe vëllai i tij i madh, Sildi, pritet të luajë një rol jetik gjatë këtij rrugëtimi.

“E mësova Dennin të bënte ski kur ishte i vogël, por vetëm tre vjet më parë u bëra zyrtarisht trajneri i tij”, rrëfen Sildi. “Pjesa më e vështirë e punës është të ndaj dy rolet e mia të ndryshme – njëri në shtëpi si vëllai i tij dhe tjetri në pistë si trajneri. Unë përpiqem sa mundem që të lë pas të gjitha problemet e shtëpisë kur shkoj në pistën e skive dhe anasjelltas. Duke pasur këtë në mendje, deri tani gjërat janë mirë".

Denni vë buzën në gaz në shenjë miratimi, dhe shton: "Gjërat shkojnë shumë mirë. Në pistë ai është trajneri im, por në Fshatin Olimpik, palestër dhe kudo tjetër, është gjithmonë im vëlla."

Sinergjia mes tyre është e pamohueshme. Gjatë kohës që ka pasur Sildin në krye, paraqitja e Dennit ka qenë në rritje, duke vendosur kohën e vet më të mirë personale dhe duke dalë në vendin e pestë në sllallom në një veprimtari të Federatës Ndërkombëtare të Skive në Pila më 2020, si edhe duke dalë tre herë ndër 20 më të mirët në Kampionatet Kombëtare të të Rinjve në vitin 2021.

Denni Xhepa pozon për një foto me unazat olimpike në fshatin olimpik të Yanqing-ut në Pekin të Kinës. foto/CGTN

Pavarësisht përparimit të qëndrueshëm, Denni shprehet se ai ende është duke mësuar dhe synon të shijojë procesin në vend që të fokusohet në rezultatin përfundimtar në Pekin, ku do të garojë në dy disiplina individuale: sllallom dhe sllallomin gjigant për meshkuj.

"Jam 18 vjeç. Jam në veprimtarinë më të madhe në skitë alpine. Nuk mund të kërkoja më shumë", shprehet ai.

Ndërsa Denni nuk pranon të caktojë objektiva konkretë për debutimin e tij olimpik, Kliton Muça, shefi i misionit të Shqipërisë në “Pekin 2022”, shpreson se olimpisti i vetëm shqiptar në këtë olimpiadë do të spikatë.

"Bukuria e sportit është paparashikueshmëria e tij. Kurrë nuk mund ta dish se si do të përfundojë gara", u shpreh Muça, i cili ishte edhe anëtar i delegacionit të Shqipërisë në “Pekin 2008”.

"Vajtja në Kinë për Lojërat Olimpike Verore 14 vjet më parë ishte një nga përvojat më të mira që kam pasur ndonjëherë. Ky kujtim do të mbetet gjithmonë i paharruar për mua," thotë ai duke buzëqeshur. "Të shohim se si do të shkojnë gjërat këtë herë."