Foto: A2

Foto: A2

Siguria e furnizimit me energji në Ballkanin Perëndimor dhe integrimi energjetik i rajonit me BE-në, do të jenë temë diskutimi në takimin e Këshillit të përbashkët të Energjisë BE-SHBA, shkruan “A2”.

Teksa pritet të adresojnë shqetësime si rritja e çmimit të energjisë, tranzicioni drejt energjisë së pastër dhe tensionet aktuale me Rusinë, përfaqësuesit e administratës amerikane dhe asaj të BE-së, përmendin edhe Ballkanin Perëndimor në draft-deklaratën që duhet ende të miratohet.

“Këshilli përsërit rëndësinë e ndërtimit të një sistemi konkurrues, transparent dhe të integruar energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe tregjet e asociuar, reformat e rregullatorëve në përputhje me politikën e zgjerimit dhe obligimet nga Traktati i Komunitetit të Energjisë”, -theksohet në draft-deklaratë.

Këshilli po ashtu mbështet dekarbonizimin e sistemit të energjisë në Ballkanin Perëndimor, që nënkupton largimin gradual nga prodhimi i energjisë përmes qymyrit dhe orientimi drejt burimeve më pak ndotëse.

Edhe për Ballkanin Perëndimor, SHBA-ja dhe BE-ja duan që të kenë më shumë burime alternative të energjisë, në mënyrë që furnizimi me energji të jetë më i sigurt dhe më pak i varur nga burimet e kufizuara.

Në takim marrin pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sekretarja amerikane për Energji, Jennifer Granholm, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, komisionarja evropiane për Energji, Kadri Simson dhe përfaqësues të tjerë amerikanë dhe evropianë.

Edhe në takimin që i kushtohet energjisë, BE-ja dhe SHBA-ja pritet të nënvizojnë rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.