Foto:shqiptarjacom

Foto:shqiptarjacom

Viti 2022 do të jetë një mundësi për të gjithë të rinjtë që do të përfshihen në aktivitetet, në kuadër të “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë”.

Përveç promovimit të qytetit, organizatorët synojnë të krijojnë mundësi reale për këta të rinj edhe në të ardhmen, në fushat që ata kanë interes. Aktivitetet që do të zhvillohen nuk do të jenë vetëm artistike dhe kulturore, por do të përfshinë një mori sferash, si shëndeti, arsimi, hapësirat rinore apo inovacioni.

Menaxheri i projektit, Ergys Gezka, në një intervistë për “RTSH”-në, tha se të rinjtë duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për t’i krijuar vetes më shumë mundësi në të ardhmen, në fushën ku ata janë të interesuar.

Ndonëse Tirana mban titullin “Kryeqytet Evropian i Rinisë 2022”, aktivitetet nuk do të jenë vetëm për të rinjtë e Tiranës.

Kryeqyteti do të shndërrohet në një pikëtakim edhe për të rinjtë shqiptarë, kudo që ata ndodhen, në qytete të tjera të vendit, trevat shqiptare, si dhe për të rinjtë nga vendet e rajonit dhe Evropës.

Gjatë dy muajve, kanë aplikuar mbi 1100 të rinj, që duan të zhvillojnë idenë e tyre.