Viti i ri kinez u festua dhe në kryeqytetin shqiptar me një ceremoni festive organizuar në Tiranë nga Ambasada e Kinës dhe Bashkia e Tiranës. Të pranishëm në ceremoni ishin ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro, politikanë, përfaqësues të trupit diplomatik, të Institutit Konfuci, përfaqësues te biznesit dhe miq të ftuar.
Në një mjedis të zbukuruar me fenerë të kuq, ambasadori kinez Zhou Ding përshëndeti të pranishmit duke theksuar se
“Sot jemi mbledhur sërish për të ndarë gëzimin dhe lumturinë që na sjell Viti i Ri Kinez dhe ndërkohë të ndjejmë sharmin dhe vitalitetin e Tiranës, Kryeqytetit Evropian të Rinisë 2022 dhe qytetit simotër të Pekinit.”
Duke folur për traditën mijëravjeçare kineze të festimit të vitit të ri, ambasadori përmendi shprehjen kineze, “një vit i mirë përcaktohet nga pranvera e tij”. Një vend të posaçëm ai i kushtoi dhe Lojërave Olimpike të Pekinit ku me këtë rast përshëndeti dhe ekipin shqiptar pjesëmarrës në to, që ishte i pranishëm në ceremoni.
“Mezi pres të shoh flamurin kuqezi të valëvitet sërish në Pekin. Ndërsa festojmë Vitin e Ri Kinez që përkon me Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, le t'i shijojmë lojërat së bashku dhe duke u frymëzuar nga motoja olimpike "më shpejt, më lart, më të fortë së bashku", si dhe slogani i Lojërave Olimpike të Pekinit "Së bashku për një e ardhme e përbashkët”., tha ambasadori Zhou Ding.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vuri në dukje se Tirana është kryeqyteti europian i rinisë për vitin 2022 dhe ftoi edhe të rinjtë kinezë të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje. Ai vlerësoi bashkëpunimin me ambasadën kineze dhe shprehu mirënjohje për ndihmën e dhënë nga Kina për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë Covid 19.
“Kemi bërë disa aktivitete të përbashkëta për të cilat unë jam shumë mirënjohës. Kemi ndërtuar kënde lodrash, kemi mbjellë pa fund pemë, kemi pagodën në parkun e madh ku të gjithë zogjtë e dashuruar të Tiranës kanë një moment dhe një ndalesë reflektimi. Sigurisht dhe ndihma gjatë tërmetit dhe pandemisë për të cilën unë jam shumë mirënjohës në emër të qytetit të Tiranës dhe të gjithë qytetarëve që përfituan nga këto ndihma”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai përshëndeti dhe i uroi sukses dhe skiatorit shqiptar Denni Xhepa që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit.
“Skuadrës sonë olimpike i jap një duartrokitje. I uroj shumë sukses! Ne do të kemi një pritje zyrtare në Bashkinë e Tiranës nesër dhe për t’ju uruar sukses “
Gjatë ceremonisë nxënësve të Institutit Konfuci të cilët performuan këngë në gjuhën kineze iu shpërndanë zarfa të kuq, sipas traditës kineze të Vitit të Ri.
Viti i ri kinez, i njohur si Festa e Pranverës sipas kalendarit hënor është festa më e rëndësishme e kombit kinez. Ajo tashmë ka nisur në mbarë Kinën dhe kulmon me darkën e bashkimit familjar ku shijohen ushqime tradicionale me simbolika për mbarësi dhe begati.
12 shkurti shënon Festën e pranverës në Kinë dhe viti 2022 i përket shenjës së Tigrit, duke filluar nga 1 shkurti 2022 e deri më 21 janar të 2023.