ministrja Kumbaro, foto fb zyrtar ministrja

ministrja Kumbaro, foto fb zyrtar ministrja

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi se lumi i Shalës dhe i Vjosës janë shpallur zona të mbrojtura natyrore.

Pas mbledhjes së qeverisë shqiptare, ministrja Kumbaro tha se kurorëzohet me një vendim të Këshillit të Ministrave një punë shumë e gjatë e kryer nga Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit dhe nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, që prej më shumë se dy vjetësh ka punuar në terren për të bërë një përditësim të të gjithë territorit, rishikim dhe rivlerësim të zonave ekzistuese të mbrojtura të të gjitha kategorive, duke pasqyruar gjithçka ka ndodhur në 30 vitet e fundit, ku u evidentua një mospërputhje e realitetit me listën e monumenteve të natyrës apo zonave të mbrojtura për shkaqe të ndryshme.

“Kemi gjithashtu edhe një lajm të mirë për shpalljen e parkut “Alpet e Shqipërisë”, ku kemi një organizim të disa hapësirave të copëzuara më parë, siç ishte Thethi apo lumi i Gashit, si dhe Valbona, duke i përfshirë në një territor më të gjerë, që shkon gati në 20.000 hektarë”, -tha ministrja Kumbaro.

Sipas saj, në total nga 18% e territorit që ishte me zona të mbrojtura, sot edhe me verifikim në territor janë rreth 21% në të gjithë vendin, të ndara në katër kategori të ndryshme, duke u bërë kështu një aset kombëtar.