Foto:ATSH

Foto:ATSH

9 aplikime për ndërtimin e impianteve fotovoltaike janë depozituar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, njofton “ScanTV”. Secili prej tyre parashikon ndërtimin e centraleve me kapacitet të instaluar 2 MW.

Ndonëse janë bërë nga kompani të ndryshme, të gjithë parashikojnë pozicionimin në Qarkun e Fierit, që njihet për potencialin diellor. Në rast se këto procedura finalizohen me sukses, ateherë ato do t’i shtohen impianteve të tjerë të vegjël, që tashmë kanë hyrë në prodhim.

Përveç centraleve të vegjël, në proces janë edhe disa parqe të mëdhenj që do të ndërtohen nga investitoret privatë e që nuk do të përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë. Një prej tyre parashikohet të ketë një fuqi të instaluar prej 50 MW, në Libofshë të Fierit.

2 impiante të tjerë të mëdhenj në zonën e Sheq-Marinasit në Fier, me fuqi totale prej 100 MW kanë avanuar me proceduart.

Ndërtimi i këtyre impianteve pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se aktualisht energjia diellore mbetet pak e shfrytëzuar në Shqipëri, teksa në prodhim janë 11 impiante të vegjël, me fuqi totale të instaluar 23 MW. (Fatosi)