Foto: ATSH

Foto: ATSH

Në “Syrin e Kaltër”, rreth 30 minuta larg nga Saranda, po punohet intensivisht për zbatimin e projektit të rikualifikimit infrastrukturor, i cili pritet të përfundojë në pranverën e këtij viti.

Përmes një investimi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit projekti përfshin parkimin, rrugën, korsitë e biçikletave, deri te pikat panoramike, si dhe treni i vogël për vizitorët.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e shoqëruar nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj inspektoi nga afër punimet që po kryhen në Syrin e Kaltër, përcjell “ATSH”.

“Me vendimin e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit “Syrin e Kaltër” do ta kthejmë në Park Natyror. Kjo do të bëhet definitive me vendimin javën e ardhshme në Këshillin e Ministrave për t’i dhënë këtë status një territori që shkon përtej atij që njihet si burimi i syrit të kaltër, por i një territori natyror që është shumë i gjerë dhe që do të fitojë me investimin që po bëhet një koncept tjetër përdorimi, por edhe një koncept tjetër mbrojtje”, -theksoi Kumbaro.

Pjesë e projektit është edhe restaurimi i pasarelave, vijoi Kumbaro, të cilat do të jenë për vizitorët.

“Me marrjen e statusin “Park Natyror” dhe sipërfaqja e zonës së mbrojtur do të zgjerohet në rreth 290 ha, si pjesë e vizionit tonë për të ruajtur e kthyer në burim ekonomie të gjelbër perlat e Shqipërisë”, -tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro e vuri theksin edhe tek mbajtja pastër e territorit të gjithë zonës duke theksuar se pjesë e projektit dhe e punës së firmës zbatuese të projektit do të jetë pastrimi i mbeturinave. Ajo theksoi se me hapjen e sezonit turistik, më 1 maj, projekti i rikualifikimit të “Syrit të Kaltër” do të përurohet. (Irma)