Vlore atsh

Vlore atsh

Qytetarët e Vlorës kanë shfaqur interes ditët e para të janarit për të kryer vaksinën kundër Covid 19.

Mjekja e qendrës Shëndetësore nr. 3 në Vlorë, Rajmonda Zoto, deklaroi për mediet se edhe pas festave është shtuar interesi, sidomos për dozat e para. Sipas saj, kjo vjen edhe nga udhëzimi që ka nxjerrë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vaksinimin e të gjithë punonjësve të administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare, por edhe për shkak të situatës së Covid 19 që është e ngarkuar.

“Aktualisht kemi vënë re shtim të rasteve, vetëm në qendrën tonë janë 37 persona pozitivë me Covid 19”, -tha Zoto.

Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e fundit, në dhjetor 2021, rekomandoi se që nga data 4 janar, punonjësit e administratës publike, të qendrave tregtare dhe supermarketeve të paraqisnin në punë certifikatën e vaksinimit. Në mungesë të saj, punonjësit mund të paraqiten me certifikatë shërimi të vlefshme për 6 muajt e fundit, në të kundërt test PCR çdo 5 ditë.

Ndërkohë vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik. (Elona)