66 vjet pas anëtarësimit në OKB Shqipëria nisi më 1 janar mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Zgjedhja e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, është një prej arritjeve më të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare të vendit.

Kombet e Bashkuara (VCG)

Kombet e Bashkuara (VCG)

Kombet e Bashkuara (VCG)

Kombet e Bashkuara (VCG)

Ministrja për Europën dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka theksoi se vendi ynë do të kontribuojë në adresimin e çështjeve më të nxehta të sigurisë në botë.

“Që sot ekipi ynë i diplomatëve në Nju Jork do të ketë të drejtën të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit si një anëtar jo permanent, do të ketë të drejtën të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë për adresimin e çështjeve më të nxehta të sigurisë në botë. Do të ketë privilegjin të influencojë me forcën e ideve dhe eksperiencës sonë diskutimet mbi kërcënimet më të mprehta që rrezikojnë sot paqen e stabilitetin. Ky mandat nuk është një dhuratë që i ra Shqipërisë nga qielli. Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë.”

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka shtoi se shumë vjet më parë, kur u mor për herë të parë vendimi për të filluar procesin e lobimit për një vend në Këshillin e Sigurimit, gjithçka dukej si një ëndërr e pamundur. E çmendur madje. Por ja ku jemi sot dhe ajo që dukej e pamundur sot është realitet.

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka)

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka)

“Unë besoj që kjo është prova më e mirë, që kur ne shqiptarët vendosim të punojmë, të gjithë së bashku, me durim, me përkushtim, për ne nuk ka asgjë të pamundur. Le t’i qasemi 2022 e sfidave që na presin me po këtë frymë e po këtë vendosmëri dhe nuk kam asnjë dyshim që e ardhmja që do të ndërtojmë së bashku për familjet e fëmijët tanë do të jetë vërtet e bukur”, tha ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Shqipëria u pranua anëtare e OKB-së në 14 dhjetor 1955 dhe pas 66 vitesh anëtarësie, u votua për herë të parë për të qenë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB për një mandat 2-vjeçar. Mandati fillon më 1 janar 2022. Ky këshill përbëhet nga 15 anëtarë, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme kurse 10 vendet e tjera anëtare janë me një mandat dyvjeçar.

Ndër prioritetet e mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit do të jenë :Respektimi i të drejtave të gruas, si kontribut për paqe dhe siguri të qëndrueshme; Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i ligjit ndërkombëtar; Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit; Ndryshimet e klimës dhe lidhjet e tyre me rreziqet ndaj sigurisë globale; Metodat e punës të Këshillit të Sigurimit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetën marrjen nga Shqipëria të mandatit të anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kryeministri Edi Rama në OKB (Gazeta Koha Jonë)

Kryeministri Edi Rama në OKB (Gazeta Koha Jonë)

“Urime Shqipërisë për një arritje të jashtëzakonshme, fillimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në histori. Shtetet e Bashkuara mirëpresin të shërbejnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të trajtuar sfidat më të ngutshme me të cilat përballet sot bota jonë”, deklaroi sot ambasada amerikane në Tiranë.

Më 11 qershor 2021 Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 duke shënuar një ditë historike. Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria u zgjodh anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë.

Shqipëria nis mandatin në KS të OKB (Reforma)

Shqipëria nis mandatin në KS të OKB (Reforma)

Përfaqësuesja e Përhershme e Shqipërisë në OKB, ambasadorja Besiana Kadare, njëkohësisht zv/presidente e seancës së 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në një intervistë për ATSH-në me rastin e zgjedhjes së Shqipërisë si anëtare e përkohëshme në KS të Kombeve të Bashkuara theksoi se numri i lartë i vendeve anëtare të OKB-së që i dhanë votën (e fshehtë) Shqipërisë për t’u anëtarësuar në organin më të rëndësishëm dhe të lakmuar të OKB-së, dëshmon seriozitetin dhe konstruktivitetin e politikës sonë të jashtme.

“Rezultatet e votimit në Asamblenë e Përgjithshme treguan se Shqipëria gëzon një reputacion pozitiv dhe konsiderohet nga familja e madhe e kombeve si një partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm, i aftë që të angazhohet në zgjidhjen e krizave dhe konflikteve globale”, u shpreh ambasadorja për ATSH-në.

Prestigji dhe influenca që fiton një vend duke u anëtarësuar në Këshillin e Sigurimit, sipas Kadaresë, “e tejkalon ndjeshëm peshën dhe fuqinë e tij politike tradicionale, të përcaktuar zakonisht nga përmasat gjeografike, popullsia dhe fuqia e tij ekonomike dhe ushtarake”.

Kombet e Bashkuara (VCG)

Kombet e Bashkuara (VCG)

Ambasadorja e Shqipërisë në OKB informoi për ATSH-në se, “gjatë mandatit të saj, Shqipëria do të përfshihet në negociata me fuqitë më të mëdha botërore dhe do të marrë pjesë në vendimmarrje që lidhen me paqen dhe sigurinë e planetit. Miratimi i çdo rezolute në KS kërkon të paktën 9 vota pro, dhe mosvënien e vetos nga asnjëri prej 5 anëtarëve të përhershëm. Në këtë kontekst, nuk është e vështirë të kuptohet se sa rol të rëndësishëm do të marrë Shqipëria, e cila, me qëndrimet që do të mbajë në Këshill të Sigurimit, do të influencojë vendimmarrjen për çështje globale”.

Si rrjedhojë, shtoi ajo, periudha dyvjeçare e anëtarësisë sonë në Këshillin e Sigurimit (2022-2023) do t’i japë Shqipërisë dhe politikës së saj të jashtme vizibilitetin më të madh që shteti shqiptar ka njohur ndonjëherë në arenën ndërkombëtare.

Shqipëria u paraqit si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore. Veprimtaria e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka prioritet paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Këshilli i Sigurimit në OKB është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve.

Eda Merepeza