Paratë që emigrantët dërgojnë në familjet e tyre në Shqipëri (remitancat) kanë shënuar rritje të ndjeshme këtë vit, njofton “Monitor”. Revista u referohet statistikave të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave për 9-mujorin 2021, prurjet arritën në 541 milionë euro, duke shënuar nivelin më të lartë që nga viti 2009.

Në raport me janar-shtator të një viti më parë, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë dhe mbylljes së Europës, remitancat janë rritur me 15%. Në krahasim me periudhën përkatëse normale të 2019-s, zgjerimi është më i lehtë, me rreth 4.5%.

Sipas tremujorëve, niveli më i lartë i tyre u shënua në korrik-shtator, me 200 milionë euro, që përkon me periudhën e verës, kur shumë emigrantë vijnë për pushime.

Italia dhe Greqia vijojnë të mbeten kanalet kryesore të dërgimit të parave në vend, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetet fqinje. Por, vitet e fundit, po rriten edhe prurjet nga vendet e reja të emigrimit, kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos Gjermania. Aktorët e tregut pohojnë se Gjermania, për vetë faktin që është në tipologjinë e një vendi me emigracion të ri, gjatë viteve të fundit ka qenë në një rritje konstante.

Sipas të dhënave të tjera të Eurostat-it, që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Evropian. (Fatosi)