Çmimet në muajin nëntor kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke reflektuan shtrenjtimin e shumë produkteve bazë, kryesisht ushqime dhe pije alkoolike si dhe kostot e transportit.

INSTAT njoftoi se Indeksi i Çmimeve të Konsumit të Konsumit, që mat ndryshimin e një shporte bazë mallrash u rrit me 3.1% në nëntor, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo është rritja më e lartë në më shumë se një dekadë, që nga korriku 2011, kur inflacioni ishte në nivelin e 3.6%.

Për herë të parë në 10 vjet inflacioni ka tejkaluar objektivin e shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në Shqipëri, për nëntorin 2021 është 3.1%, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 1.6%.

Sipas INSTAT-it, ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin nëntor 2021, krahasuar me muajin pararendës, është 0.2%. (Irma)