Foto: balkan web

Foto: balkan web

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nga pika e vaksinimit në Kukës ka bërë thirrje për vaksinimin me dozën e tretë për të rritur mbrojtjen për qytetarët, në kushtet e shqetësimit të rritur nga variantet e reja.

“Nuk po e ndalim punën për të rritur mbulesën vaksinale. Mjekët, infermierët, vaksinatorët janë duke bërë një punë kapilare për të shkuar te çdo qytetar i cili e ka të pamundur të aksesojë qendrën shëndetësore për t’u vaksinuar. Kemi qenë dhe vijojmë të jemi në universitete dhe po ashtu edhe në gjimnaze për vaksinimin e moshës +16 vjeç. Është e rëndësishme që mos ta ndalim këtë intensitet edhe në kushtet e variantit të ri Omicron, por edhe me rritjen e infektimeve në të gjitha vendet e Europës”, -tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe dozës përforcuese për të rritur mbrojtjen e qytetarëve në këtë periudhë të vitit në prag të festave. Ajo i ftoi qytetarët që të dëgjojnë zërin e shkencës dhe të autoriteteve që bëjnë thirrje për një vaksinim të shpejtë. (Elona)