Foto: politikoal

Foto: politikoal

Shqipëria bëhet anëtare e Konventës kuadër për etikën në Turizëm. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, pas mbledhjes së qeverisë tha se konventa, e propozuar 2 vjet më parë nga Organizata Botërore e Kombeve të Bashkuara për Turizmin, është e rëndësishme në kuptimin që përcaktohen disa standarde që kanë të bëjnë me etikën, që nga operatorët turistikë, sindikatat, deri te shërbimet e ofruara nga shtetet palë të kësaj konvente.

“Ne krenohemi me shifrat e larta të viteve të fundit në turizëm, por nuk mund të mjaftohemi me aspektin sasior. Na duhet të ngremë lart cilësitë. Dhe të qenit palë e kësaj konvente është një detyrim për të gjithë operatorët në terren, që nga ata publikë deri te sektori privat, për të respektuar disa standarde që kanë të bëjnë me profesionalizmin, por edhe disa standarde të tjera që bëhen të rëndësishme në këtë periudhë pandemie, që ka dëmtuar mjaft sektorin e turizmit, duke komunikuar me të njëjtët kod normash dhe standardesh me vendet e tjera, ku dërgojmë turistë ose prej të cilave marrim turistë”, - nënvizoi Kumbaro.

Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, projektligji pritet të ratifikohet në Kuvendin e Shqipërisë, për ta bërë Shqipërinë anëtare me të drejta dhe detyrime të plota. (Irma)