Kriza e fundit e energjisë në Shqipëri duket se ka rikthyer në fokus energjinë diellore. Bizneset, sidomos ato në tregun e lirë, po instalojnë me shpejtësi impiante për të ulur barrën e faturës së energjisë, ku një kilovat u kushton mes 20-25 lekë/kwh, shkruan “Monitor”.

Kompanitë që operojnë në shitjen dhe instalimin e impianteve raportojnë për një rritje mes 35-60% të kërkesës në muajin e fundit.

Megjithatë ekziston rreziku që kërkesa e lartë të krijojë globalisht një hendek me mundësinë për furnizim me panele, ndërkohë që kostot janë rritur.

Në lidhje me diversifikimin, Ministria e Energjisë dhe Industrisë deklaron se janë disa projekte për sa u takon fotovoltaikëve. Impianti i Karavastasë nis ndërtimin në pranverën e vitit 2022.

Shqipëria konsiderohet nga vendet ku energjia elektrike nga dielli është mjaft ekonomike. Kjo mundësohet nga fakti se vendi ka rreth 300 ditë me diell në vit. (Fatosi)