Nis ndërtimi nga një konsorcium kinez në një seksion të ri të hekurudhës Beograd-Budapest në Serbi. Me pjesëmarrjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, ministrit hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Peter Szijjarto dhe ambasadorit kinez në Serbi, Chen Bo, ceremonia u zhvillua në Novi Sad të Serbisë.

Seksioni prej 108 kilometrash të hekurudhës së shpejtë do të përfshijë nënkalime dhe mbikalime, bën të ditur “Xinhua”.

Duke folur në ceremoni, Vuçiç theksoi rëndësinë e hekurudhës për zhvillimin e ardhshëm të Serbisë dhe vlerësoi lidhjet miqësore me Kinën dhe Hungarinë.

“Ne do ta gëzojmë këtë dhe do të sjellë përfitime si përmes ndërtimit ashtu edhe përmes pagave dhe pensioneve më të larta, një standard më të lartë jetese dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, -tha ai.

Pjesa serbe e hekurudhës do të përfundojë për tre vjet, tha Vuçiç, ndërsa Szijarto paralajmëroi se pjesa hungareze e hekurudhës, e gjatë 167 kilometra, duhet të përfundojë para vitit 2025.

Hekurudha Beograd-Budapest, e cila ka një gjatësi totale 350 kilometra, do të shkurtojë në 2 orë udhëtimin ndërmjet kryeqyteteve të Serbisë dhe Hungarisë. (Elona)