Shqipëria do të shtojë numrin e studentëve në mjekësi në një përpjekje për të pasur më shumë mjekë të përgjithshëm në vend pas largimeve të shumta të personelit të mjeksor gjatë viteve të fundit.

Një memorandum është nënshkruar për këtë qëllim mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë.

Ministrja Manastirliu tha se do të jenë 150 kuota pranimi mbi ato aktualet, që e çojnë numrin e përgjithshëm të studentëve të cilët do të pranohen në Fakultetin e Mjekësisë në 450 studentë në vit. "Kjo është pjesë e planit tonë disavjeçar për të pasur më shumë mjekë të përgjithshëm", -tha Manastirliu.

Çdo vit, rreth 330 studentë të rinj nisin studimet në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa në të gjitha degët e Universitetit të Mjekësisë të Tiranës janë mbi 2200 kuota studimi.

Në vitin 2000 Shqipëria kishte 140 mjekë për 100.000 banorë, ndërsa në vitin 2018 ky tregues ra në 110 mjekë. Ky numër është shumë më i ulët në krahasim me mesataren e vendeve të BE-së , por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur duke u zvogëluar.

E njëjta tendencë rënëse vërehet edhe për infermierët dhe mamitë. Numri i atyre që kanë emigruar nga Shqipëria gjatë periudhës 2014-2019 llogaritet në rreth 8500. (Fatosi)